Një ekip i CNN ka vëzhguar nga afër provokimet e vazhdueshme të avionëve të luftës në detin e Kinës Jugore.

Një përshëndetje e padëshiruar nga një avion lufte i Kinës. Është filmuar shumë afër një avioni amerikan të marinës detare, që fluturonte mbi Detin e Kinës Jugore.

“Po shohim nga afër avionin luftarak të Kinës. Ekuipazhi këtu e identifikoi si model J-11, të armatosur me raketa ajrore. Ka shoqëruar avionin e marinës amerikane për 15 minuta. Është mbresëlënëse të shohësh këtë avion lufte të Kinës që operon kaq afër. Vetëm pak metra nga avioni jonë”, shprehet reporteri i CNN Ivan Watson.

Shoqërimi nga avioni kinez është pjesë e një rutine të zakonshme.

“Mund të them se kjo është shumë e zakonshme në Detin Jugor të Kinës”, thotë komnadanti i patrullës 10 Mark Hines.

Marina amerikane ftoi ekipin e CNN të fluturojë në avionin vrojtues P-8A, që u nis nga baza ajrore e SHBA në ishullin japonez, Okinawa. Gjatë rrugës, një furnizim nga një pikë karburanti fluturuese.

“Po furnizohemi në mes të qiellit. Po fluturojmë vetëm pak metra nga furnizuesi KC-135”, deklaron Watson.

Avioni po drejtohet nga ishulli I vetëqeverisur, Tajvan, të cilin Kina e pretendon të sajin. Po ashtu edhe Detin e Kinës Jugore, pa marrë parasysh pretendimet e Vietnamit dhe Filipineve. 30 milje pa mbërritur në ishuj të pushtuara nga Kina, një zë na flet në radio.

Ky është momenti kur shfaqen avionët luftues të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës. Fluturojnë aq afër sa mund të shohim pilotët e tyre.

Pilotët kinezë nuk përgjigjen kurrë, por largohen vetëm pasi avioni amerikan kthehet nga jugu. Komandanti Will Toraason, tregon rrjetin e ishujve artificiale që Kina ka ndërtuar, në hapësira të pretenduara nga shtetet e tjera.

“Fokusi ynë kryesor këtu është që të sigurojmë që ne të kemi qasje të vazhdueshme bashkë me aleatët dhe partnerët tanë në hapësirën ajrore dhe ujërat ndërkombëtarë”, shprehet komandanti Toraason.

Prezenca amerikane këtu ka për synim të parandalojë zgjerimin e mëtejshëm të Kinës.

“Po fluturojmë në lartësi të ulët, pak më shumë se 300 metra sipër nivelit të detit në lindje të Tajvanit, duke kërkuar një luftanije kineze që besohet se po operon në këto ujëra të trazuara”, thekson Watson.

Gjatë disa viteve të fundit, Deti i Kinës Jugore është shfaqur si një pikë e madhe e mundshme e ndezjes në Azi Paqësor. Ishujt si Paracelat pranë të cilëve u kap të premten avioni i marinës amerikane, janë subjekt i pretendimeve territoriale të mbivendosura pjesërisht nga Kina, Filipinet, Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Tajvani.

Jo vetëm që rruga strategjike ujore përmban burime të mëdha peshku, nafte dhe gazi, por rreth një e treta e transportit global kalon përmes saj, me vlerë rreth 3.4 trilionë dollarë në vitin 2016, sipas Projektit të Energjisë së Kinës të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS). .

Kina pretendon juridiksion historik mbi pothuajse tërësinë e detit të gjerë dhe që nga viti 2014 ka ndërtuar shkëmbinj nënujorë të vegjël dhe bare rëre në ishuj artificialë të fortifikuar rëndë me raketa, pista dhe sisteme armësh, duke shkaktuar protesta nga pretenduesit e tjerë.

Ishujt Paracel, të quajtur nga Kina Ishujt Xisha, janë në pjesën veriore të Detit të Kinës Jugore, në lindje të Da Nang, Vietnam dhe në jug të ishullit Hainan të Kinës.

Kina kryen stërvitje të rregullta ushtarake në pjesën më të madhe të Detit të Kinës Jugore dhe mban një prani të madhe të rojes bregdetare dhe anijeve të peshkimit në ujërat e diskutueshme, gjë që shpesh ka nxitur tensione me fqinjët e saj.