Sektori i ndërtimit dhe ai i pasurive të paluajtshme ka vazhduar bumin edhe përgjatë fundit të 2022-it dhe muajve të parë të këtij viti.

Kjo reflektohet si nga lejet e reja të ndërtimit, ashtu edhe nga kërkesa e vazhdueshme për të blerë prona.

INSTAT raporton se u dhanë leje për 1420 ndërtesa të reja gjatë vitit të kaluar, duke tejkaluar edhe vitin 2021, kur u dhanë 1396 leje. Pjesa më e madhe e lejeve i takon ndërtesave me një apo dy kate, por trendi shfaqet në rritje për pjesën e pallateve dhe rezidencave.

Sipas agjentëve të tregut të real estate, këto ndërtime janë të nevojshme për të plotësuar kërkesën e lartë.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës Shqiptare të Real Estate, Reinaldo Pipiria, tregu gjendet në këto kushte, për shkak se blerës janë jo vetëm shqiptarët, por gjithmonë më shumë edhe të huajt.

Gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë raportoi për një rritje të çmimit të banesave me rreth 40%. Sipas agjentëve të tregut, kjo erdhi për shkak të kostove të shtuara të ndërtimit. Këtë vit, nuk do të ketë rënie të çmimeve, por një rritje më të vogël.

Vlera e investimit për lejet e dhëna gjatë vitit 2022 për ndërtesa llogaritet në 97.7 miliardë lekë, apo rreth 850 milionë euro.