Britania e Madhe mbyll dyert ndaj emigracionit klandestin, dhe e bën ndoshta në mënyrën më të ashpër të mundshme. Qeveria e drejtuar nga konservatori me origjinë indiane Rishi Sunak, do të prezantojë ditën e sotme ligjin e ri kundër ardhjes ilegale të dhjetëra mijëra personave që më së shumti kalojnë nga brigjet franceze në ato britanike me gomone.

Emigrantët e kapur jo vetëm që nuk mund të kërkojnë më azil, por do të mbahen në struktura të veçanta për t’u nisur më tej drejt Ruandës afrikane dhe disa vendeve të tjera të cilësuara nga Londra si të sigurta, me të cilat  ka nënshkruar marrëveshje specifike.

Klandestinët do të kenë një ndalim të përjetshëm për t’u rikthyer në Britaninë e Madhe, dhe nuk mund të aplikojnë më për nënshtetësinë.

“Mundësia për të jetuar në këtë vend dhe për t’u bërë nënshtetas britanik nuk është një e drejtë njerëzore, është një privilegj, për këtë arsyeje duam të zhdukim fenomenin në fjalë”, thuhet nga qeveria britanike.  

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë premtuar betejë ligjore, por qeveria Sunak nuk i trembet , duke parë sondazhet ku emigracioni i paligjshëm është në krye të shqetësimeve të opinionit publik, pas ekonomisë dhe shëndetësisë.