Tentativa e Japonisë për të “çarë” hapësirën ka dështuar. Autoritetet u detyruan të shkatërronin raketën e re pas problemeve të raportuara pas lëshimit nga Toka, duke frenuar kështu përpjekjet e këtij shteti për të hyrë në tregun e udhëhequr nga Space X i Elon Musk. Agjencia Hapësinore e Japonisë u detyrua të aktivizonte komandën e vetëshkatërrimit në raketën H3, për shkak të një dështimi në motorin shtytës në fazën e dytë të misionit.

“Do të duhet pak kohë për të kuptuar shkakun e këtij dështimi apo për të marrë ndonjë masë. Përsa i përket kostos, ajo do të rritet. Por në fund të fundit, në një status normal operacional, që përfshin konsideratat e kostove, ne ende synojmë të krijojmë një raketë konkurruese ndërkombëtare”, deklaroi Hiroshi Yamakawa, President i Agjencisë Hapësinore të Japonisë.

Qeveria e Tokios, lidhur me testin e dështuar, shprehu keqardhje të madhe. Raketa H3 është e para me rreze të mesme e krijuar nga Japonia në tre dekada. Është prezantuar si një alternativë më e lirë ndaj Falcon 9 të Space X për lëshime private dhe të satelitëve të qeverive në orbitën e Tokës. Gjithashtu, ka një sistem të aftë për të zbuluar lëshimet raketore të Koresë së Veriut. Japonia po zgjeron bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për eksplorimet jashtë këtij planeti dhe synon që të dërgojë njerëz përsëri në Hënë.