Gati dyzet vjet izolim në një zonë radioaktive ka ndryshuar gjenomin e qenve që jetojnë në Çernobil. Një studim i ri i publikuar në “Science Advances” tregon se qentë që jetuan në këtë zonë janë gjenetikisht të ndryshëm nga ata të pjesës tjetër të botës.

Studiuesit shprehen se ende nuk e dinë efektin që ka ky diversitet tek qentë e Çernobilit. Sipas tyre “Dogs of Chernobyl Research Initiative” (Iniciativa Kërkimore e Qenve të Çernobilit) ka mbledhur mostra gjaku nga këta qen që nga viti 2017, dhe deri më tani ka analizuar gjenomin e 302 ekzemplarëve që jetojnë në dhe përreth zonës së Çernobilit.

Konkretisht në tre zona të ndryshme: një ngjitur me centralin, një 15 km larg dhe një 45 km larg, pranë qytetit të Slavutych, i cili është jashtë kësaj zone dhe ka nivele relativisht më të ulëta të rrezatimit. Rezultati i parë i analizës ishte konfirmimi i ekzistencës së tre grupeve të ndryshme familjare. Më i madhi gjendet në të tre zonat e studiuara, ndërsa të tjerat kanë një gamë më të kufizuar.

Është interesante se këto tre grupe familjare shpesh përzihen me njëri-tjetrin, duke përzier grupin e gjeneve në të gjithë zonën radioaktive. Një krahasim me gjenomet e qenve të tjerë nga pjesa tjetër e botës ka treguar se ata të Çernobilit tani janë gjenetikisht të ndryshëm prej tyre.

Studimi zbuloi raste të “ndotjes gjenetike” që vinte nga jashtë. Sipas autorëve kjo ndodh sepse disa njerëz po kthehen për të jetuar në Çernobil dhe rrethinat e tij vitet e fundit, duke sjellë me vete miqtë e tyre katër putroshë, të cilët përfundojnë duke u çiftëzuar me qen vendas.

Hapi tjetër i kësaj pune do të jetë identifikimi i modifikimeve thelbësore gjenetike dhe dallimi i tyre nga ato “formale” (mutacione në pjesë të gjenomit, por që nuk prodhojnë efekte në organizëm) dhe do të përdoret për të kuptuar më mirë efektin e ekspozimit të vazhdueshëm ndaj rrezatimit.

Kujtojmë që më 26 prill 1986, pranë qytetit ukrainas të Pripyat, ndodhi aksidenti më i keq bërthamor në histori në uzinën e Çernobilit, një katastrofë ku mbetën qindra të vdekur në vend dhe një numër i panjohur viktimash për një periudhë të gjatë, për shkak të pasojave të rrezatimit. Që atëherë, rreth uzinës është krijuar e ashtuquajtura “zona e tjetërsimit”, e cila rrethon zonën e Çernobilit në një rreze prej rreth 30 km dhe që frekuentohet vetëm nga shkencëtarët, teknikët që kujdesen për mirëmbajtjen dhe kafshët.