Autobusi i skuadrës së Ligës së 3-të turke, Alanya Kestelspor, është përfshirë në një aksident të frikshëm mbrëmjen e djeshme, gjatë rrugës së kthimit nga përballja me Ofsportin, ku u mposhtën me rezultatin e ngushtë 1-0.

Pasi shoferi ka humbur kontrollin dhe ka goditur barrierat, autobusi ka përfunduar i anuar në krah të rrugës, ndërsa 14 persona kanë mbetur të plagosur.

Si pasojë e aksidentit, dy prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, të cilët janë dërguar në Antalia për marrjen e një ndihme më të specializuar mjekësore.

“Kemi pasur një aksident shumë të rëndë rreth 2-3 kilometra nga Alanya, ku autobusi ynë u përmbys dhe u zvarrit në tokë për 100 metra. Janë plagosur 14 persona, janë dërguar në spital dy nga futbollistët tanë, që janë në gjendje të rëndë.”, thuhet në një deklaratë të ekipit të Alanya Kestelspor.