Ushtarët ukrainas kanë rrëfyer vështirësitë me të cilat janë duke u përballur në mënyrë të vazhdueshme për mbrojtjen e qytetit të vogël lindor të Bakhmutit, i cili është kthyer në objektiv të Rusisë.

Ata kanë treguar se e dinin që po dërgoheshin drejt vdekjes kur iu dha urdhri të shkonin në qytet, por e pranuan atë menjëherë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është zotuar të mbrojë qytetin, por rrëfimet e ushtarëve tregojhnë një situatë të rëndë, pasi Rusia po tenton në mënyrë të vazhdueshme duke përdorur të gjithë artilerinë e saj për të marrë nën kontroll qytetin.

“Kur më thanë të shkoja në Bakhmut, unë e dija që po shkoja drejt vdekjes”, tha një ushtar i quajtur Volodymyr për Kiev Independent. “Rusët vazhdojnë të qëllojnë kundër nesh dhe ne nuk kemi më artileri. Nuk kemi me çfarë t’i sulmojmë. Nuk e di nëse do të kthehem i gjallë”, shtoi ai.

Forcat ruse janë dy apo tre herë më shumë se ato ukrainase në frontin e Bakhmutit, ku aktualisht po luftojnë rreth 20,000 deri në 30,000 trupa – sipas Mykola, një zyrtar i ushtrisë ukrainase, i cili goli për Kiev Independent.