Autoritetet meksikane vendosën të dislokonin efektivë të Marinës për të siguruar qetësinë dhe rendin në Kankun, një prej destinacioneve kryesore turistike të vendit, por shpeshherë edhe arenë e vrasjeve dhe masakrave nga dora e anëtarëve të karteleve të drogës.

Këtë herë, objektivi i marinsave meksikanë nuk ishin pasardhësit e “El Chapos”, por studentët amerikanë, të cilët janë dyndur me mijëra për të festuar pushimet e pranverës. Sipas vlerësimeve paraprake, gjatë muajit mars parashikohet që në Kankun të udhëtojnë rreth 30 mijë turistë të huaj, pjesa dërrmuese studentë amerikanë të shfrenuar, të cilët pasi kanë “pushtuar” Majamin, duan të zbresin më në jug të Karaibeve për festa me alkool në plazhet tropikale.

Por edhe pse ushtarët e armatosur rëndë patrullojnë plazhet dhe rrugët kryesore ku ndodhen lokalet e natës, duket se studentët nuk kanë ndërmend të ndërpresin festën. As vrasja tragjike e dy burrave amerikanë nga anëtarët e një karteli meksikan, pasi i kishin ngatërruar me trafikantë emigrantësh.

Festa është bërë e rrezikshme edhe në Majami, ku të premten një person mbeti i vrarë nga të shtënat me armë zjarri në një lokal nate, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur. Policia ka arrestuar një person, por nuk ka dhënë informacione të tjera.

Vitin e kaluar, policia e Majamit vendosi shtetrrethim pas mesnate, duke kufizuar aktivitetin e studentëve të harbuar, por këtë vit nuk veproi në këtë mënyrë.