Shqiptarët po largohen dhe ky është një problem i madh për bizneset italiane që operojnë në vend. Përfaqësuesit e Confindustria Albania dhe drejtuesit e kompanive i kërkojnë qeverisë shqiptare të ndërhyjë për të ndaluar dobësimin e burimeve njerëzore.

“Forca më e madhe e sipërmarrjeve tona është kapitali njerëzor, janë njerëzit. Janë njerëzit që përcaktojnë forcën e kompanive tona dhe duhet të bëjmë çmos që të punojnë dhe qëndrojnë këtu në Shqipëri. Kemi shumë të rinj që po largohen në shtete të tjera, le ta quajmë diasporën shqiptare. Ka shumë njerëz që largohen dhe nuk qëndrojnë, për një sërë arsyesh: sepse s’ka punë, s’ka punë të paguar mirë, sepse ka vështirësi”, tha Sergio Fontana, President i Confindustria Albania.

Confindustria kërkon investime në sistemin e arsimit dhe incentiva për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe ofrimit të shërbimeve për jashtë, duke ulur sa më shumë kostot për trajnimin e punonjësve.

“Formimi dhe trajtimi i vazhdueshëm i kapitalit tonë njerëzor, së bashku me një politikë të vlefshme të mirëqenies sociale, por edhe me anë të rritjes së pagave, do të bëjnë që të rinjtë tanë të qëndrojnë këtu dhe të krijojnë vlerë për ne dhe për shtetin shqiptar”, shtoi Fontana.

Një numër i madh kompanish italiane operojnë në fushën e eksportit të shërbimeve si call center dhe data entry, por Confindustria vlerëson se Shqipëria ka potencialin për t’u kthyer në një pikë referimi në Europë edhe për shërbime të tjera si financa dhe kontabiliteti, zhvillimi i softuerëve, siguria kibernetike, etj.