Pas disa muajsh verifikime, Prokuroria e Posaçme, ka regjistruar emrin e ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj, si person nën hetim. Sipas burimeve pranë SPAK, ish-zyrtari i lartë po hetohet për “shpërdorim të detyrës”, “fshehje të të ardhurave”, “korrupsion” dhe “pastrim të parave”.

Hetimi penal ndaj tij është bashkim i hetimeve të mëparshme. I pari, është një hetim i ndarë nga dosja hetimore për inceneratorin e Elbasanit.  Në të po hetohej mundësia e përfshirjes në paligjshmëri të ish-ministrit në procedurën e kalimit për miratim në Këshillin e Ministrave të projekt-vendimit të Ministrisë së Mjedisit për financimin e ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, si edhe mbështetja e propozimit të Ministrisë së Mjedisit për “negocim pa shpallje”.

Hetimi tjetër ishte ai i nisur pas një kallëzimi të gazetarit Adriatik Doçi, që ngrinte dyshime për përfitime financiare të paligjshme të Ahmetajt, si edhe fshehje të pasurisë.

I pyetur nga A2 CNN, SPAK nuk dha një koment për regjistrimin e një hetimi ne emër të Ahmetajt, duke u rezervuar për dhënie informacioni për shkak të sekretit hetimor. Sipas burimeve, për llogari të hetimit ndaj Ahmetajt në 8 mars SPAK mundi të marrë një leje kontrolli personal dhe banese nga Gjykata e Posaçme ndaj ish-bashkëshortes dhe partneres aktuale të zyrtarit të lartë.

Në kontrollet e realizuara agjentët e BKH sekuestruan një sërë dokumentesh në lidhje me projektimin apo arredimin e banesave. Ky veprim u parapri nga marrja në pyetje e personave të përfshirë në projektimin, ndërtimin apo arredimin e tyre, si edhe mbi mënyrën e likuidimit financiar të këtyre shërbimeve.

Vendimi për kontrollin e banesës së bashkëjetueses aktuale u ankimua në Apel nga Ahmetaj, i cili pretendoi antikushtetutshmëri. Sipas Ahmetajt, banesa e bashkëjetueses konsiderohej edhe si e tij edhe si e tillë, për shkak të mandatit të deputetit, nuk mund të kontrollohej pa marrë miratim nga kuvendi. Në të njëjtin ankim, ish-ministri, pretendonte shkelje të ligjit nga mënyrë se si ishte bërë kontrolli nga agjentët e BKH.