Nga dyshimet për tradhti te marrëdhëniet me vjehrrën, TgCom rendit disa nga arsyet të cilat dyshohet se kanë çuar në krizë marrëdhënien mes yllit të futbollit portugez, Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez.

Sipas medies italiane, marrëdhënia mes çiftit nuk është në ditët e saj më të mira, madje tashmë dyshohet se ndodhet në krizë të thellë, të paktën që pas zhvendosjes së tyre në Arabinë Saudite, aty ku Ronaldo po luan me skuadrën e Al Nassr.

Kur ata u zhvendosën në Arabinë Saudite u mendua se çifti do të kurorëzonte lidhjen e tyre në martesë për të qenë në rregull edhe me ligjet, por në fund për ata u bë një përjashtim dhe çifti vazhdoi jetën në të njëjtat kushte së bashku me 6 fëmijët.

Një nga shkaqet e krizës dyshohet të jetë bërë një histori për të cilën është folur javët e fundit në mediat rozë, se Ronaldo ka tradhtuar. Sipas mediave, futbollisti ka pasur një marrëdhënie me një modele nga Venezuela në mars të vitit të kaluar. Pavarësisht pretendimeve të modeles venezueliane, përfaqësues të futbollistit i kanë vlerësuar pretendimet e saj si shpifje.

Ndërkohë, teksa bazohet në dokumentarit e Georgina Rodriguez, TgCom shkruan se ajo ka një marrëdhënie të keqe me nënën e Ronaldos, ndërsa sillet në mënyrë jokorrekte edhe me miqtë e saj. Në serinë e dytë të dokumentarit Dolores Aveiro, nëna e Ronaldos, nuk shfaqet në asnjë moment. Partnerja e futbollistit e tregon veten aty si shumë të zënë me fëmijët dhe nuk mendon në asnjë moment për vjehrrën e saj. “Rutina ime nuk ndryshon. Fëmijët, shkolla e tyre, palestra, ndonjëherë shkoj në restorant. Faleminderit Zotit, udhëtojmë shumë pasi kemi lehtësira”, shprehet Georgina.