TikTok po na shndërrohet në një prej hapësirave ku po zbulojmë trendet më të fundit dhe kur themi “trend” nuk e kemi fjalën vetëm për veshje apo make up, por edhe disa sjellje gati-gati të paimagjinuara më parë, e që tashmë janë shndërruar në virale.

Rasti më i fundit është kafja me kripë. Po! Të njëjtin reagim siç po e bëni ju në këto momente, kanë bërë të gjithë kur e kanë parë se si shefi i kuzhinës Alton Brown e bëri këtë gjë me kafen e tij të mëngjesit.

Ky veprim i tij u përhap me shpejtësi si “kërpudhat pas shiut” dhe është përqafuar nga shumë përdorues të TikTok.

Ekspertja e kafesë, Kate Johnston thotë se kafeja në fakt ka shije më të mirë nëse shtoni pak kripë.

“Nëse kafja që po pini është vërtet e hidhur, kripa është një zgjedhje më e mirë se sheqeri apo ndonjë ëmbëlsues tjetër”, tha ajo për HuffPost . “E bën më të butë, neutralizon shijen shumë të fortë”.

Në vend që të ndryshojë shijet natyrale të kafesë, siç bëjnë qumështi dhe sheqeri, kripa e ruan atë. Në të njëjtën kohë, është një opsion më i shëndetshëm.

E keni provuar?