Policia serbe njofton se ka vënë në pranga 21-vjeçarin Uros. B., i cili dyshohet si autori i masakrës me 8 viktima dhe 13 të plagosur mbrëmjen e kësaj të enjteje në fshatrat pranë zonës së Mlladenovç. Raportohet se, i riu është arrestuar në afërsi të Kragujevcit

Ndërsa raportohet se gjendja e 7 prej të plagosurve është tepër kritike. Mes viktimave është një polic i ri që nuk ishte në detyrë në atë moment dhe motra e tij.

Gjatë kontrolleve në banesën e tij është gjetur edhe një sasi e madhe armësh dhe municioni. Ministria e Brendshme konfirmoi për CNN se këtë incident po e trajtojnë si një akt terrorizmi, por nuk specifikuan më shumë detaje.

Kjo ngjarje e rëndë vjen dy ditë pasi Serbia u trondit nga lajmet se një 13-vjeçar hapi zjarr ndaj shokëve të klasës në një shkollë në Beograd. Të shtënat lanë të paktën tetë fëmijë të vdekur, së bashku me një roje sigurie.

21-vjeçari Uroš B, i cili dyshohet se është autori ka qenë me shokët e tij në oborrin e shkollës kur ka pasur një debat me ta. Ai ka shkuar menjëherë në shtëpi, ka marrë një automatik dhe është rikthyer për t’i vrarë. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur pranë një këndi lojërash ku të rinjtë mblidheshin në mbrëmje. Dyshohet se autori është djali i një ushtaraku dhe konsiderohet si person problematik.