Duke nisur nga dita e sotme e deri më 8 qershor, të gjithë qytetarët e Serbisë mund të dorëzojnë armët që i kanë  pa leje dhe nuk do të përballen me pasoja penale.

Vendimi i qeverisë së vendit vjen pas dy rasteve të vrasjeve në masë që ndodhën javën e shkuar. Dhe, sipas ministrisë së Brendshme, përpos armëve të zjarrit, qytetarët do duhet të dorëzojnë çdo lloj municioni luftarak si granatat, minat, hedhësit e lëvizshëm të raketave e të tjera.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë në zotërim armë të paligjshme të përfitojnë nga mundësia dhe t’i dorëzojnë sepse pasi të kalojë afati i caktuar, ndëshkimet për shkelësit do të jenë të rënda,” tha në një intervistë për televizionin shtetëror presidenti i vendit Aleksandar Vuçiç.

Po ashtu, ai shtoi se masa do të merren edhe për ata që armët i kanë me leje. Për ta pritet të bëhen teste të papritura psikologjike dhe toksikologjike në intervale të rregullta.

Në Serbinë me 6.8 milionë banorë, 765,000 posedojnë armë me leje. Megjithatë, vlerësohet se rreth 2.5 milionë qytetarë kanë në zotërim të paktën një armë zjarri.

Aktualisht, në të gjithë shkollat e vendit janë shtuar masat e sigurisë teksa në hyrjet e godinave janë vendosur oficerë policie të armatosur.

Në shkollën fillore “Vladislav Rybnikar”, ku një nxënës 14-vjeçar qëlloi për vdekje tetë shokë të klasës dhe rojën e shkollës, do të rinisë mësimi pas dy ditësh.

Shumë prindër të fëmijëve që ndjekin këtë shkollë kërkojnë që vendi i tragjedisë të rinovohet para fillimit të mësimit.