Bankat po fitojnë më shumë para nga rritja e normave të interesit. Në harkun e muajve janar-mars gjatë së cilëve qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë paguan më shumë për kreditë e tyre, duke derdhur gati 5 miliardë lekë më shumë në banka se vitin e shkuar vetëm për interesa.

Rritja e të ardhurave ka ardhur edhe nga shtimi i kredive. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë në fund të tremujorit të parë të vitit arriti në 711 miliardë duke u zgjeruar me 1.1 miliardë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo ecuri pozitive i ndihmoi bankat të gjeneronin një fitim neto prej gati 8 miliardë lekësh në 3 muajt e parë të vitit, shumë më tepër se fitimi prej 3.2 miliardë lekësh vitin e kaluar.

Sistemi bankar ndërkohë i ka shpëtuar edhe problemeve që mund të silltë kriza e çmimeve dhe gjendja e rënduar e familjeve dhe bizneseve, në raportin e kredive me probleme. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore, detyrimet e papaguara në kohë në mars ishin sa 5.15 për qind e totalit të huave në banka duke u ulur lehtë në raport me shkurtin.

Ndërkohë rritja e interesave të depozitiva ka joshur qytetarët dhe bizneset të kursejnë më shumë në llogaritë e tyre në banka. Vlera e depozitave në 3-mujorin janar mars arriti në 110.7 miliardë lekë duke u rritur me 6.5 miliardë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  

Ndryshe nga bankat në Europë dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës që po përballen me krizë likuiditeti, institucionet financiare në vend jo vetëm që po tregojnë qëndrueshmëri, por po rrisin edhe fitimet.

Kjo për shkak se ndryshe nga sa ndodh në eurozonë e SHBA, pjesa më e madhe e bankave në vend, borxhin publik që e kanë blerë e kanë afat-shkurtër duke mos u ekspozuar nga luhatja e normave të interesit.