UEFA ka zhvilluar bisedime në fshehtësi për të zhvendosur finalen e Champions League në Lisbonë, nëse do të ketë trazira në Stamboll pas zgjedhjeve politike që zhvillohen në vend më 14 maj.

Manchester City dhe Inter janë dy skuadrat favorite për të luajtur në finalen e 10 qershorit në stadiumin “Ataturk”, por organizata që drejton futbollin europian ka frikë se në vend mund të ketë trazira nëse presidenti Recep Tayyip Erdogan humb zgjedhjet, pas dy dekadash që qëndron në pushtet.

Siç raporton “Daily Mail”, UEFA nuk dëshiron të ndryshojë përsëri finalen, pasi e ka zhvendosur dy herë të tjera nga Stambolli për shkak të pandemisë së Covid-19 në vitet 2020 dhe 2021, por mund të detyrohet të ndërmarrë vendimin ekstrem për shkak se siguria e tifozëve është parësore.

“Daily Mail” shkruan se përfaqësues të UEFA-s kanë folur jo zyrtarisht me përfaqësues të Federatës Portugeze të Futbollit, të cilët kanë organizuar dy finalet e mëparshme të cilat do të luheshin në Stamboll, përkatësisht në Lisbonë në vitin 2020 dhe Porto një vit më vonë.

Sipas sondazheve në Turqi, Erdogan ka më pak mundësi të fitojë sesa sfidanti Kemal Kilicdaroglu. Me shumë gjasa zgjedhjet do të shkojnë në balotazh, në datën 28 maj. Kjo e vendos finalen vetëm 2 javë pas datës kur do të shpallet rezultati përfundimtar.