Zgjedhjet lokale të 14 majit shënuan një rekord tejet negativ për pjesëmarrjen e ulët. Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e së dielës morën pjesë 37,79 përqind e votuesve.

Gjithsesi, kjo shifër duhet të merret me rezerva duke qenë se shumë vota janë shpallur të pavlefshme dhe këtu nuk e kemi fjalën për ato gabime teknike nga ana e votuesit.

Për herë të parë, në këto zgjedhje lokale votimi elektronik u aplikua në tri bashki, në Elbasan, Kamëz dhe në Vorë. Votuesit e këtyre bashkive, veç kandidatëve kishin si alternativë për të zgjedhur edhe “Nuk zgjedh asnjë kandidat”. E pikërisht, këtë alternativë e kanë votuar 3208 persona në këto tri bashki.

Sipas KQZ, në Elbasan 1706 qytetarë nuk kanë dashur të zgjedhin asnjë nga dy kandidatët, ku ishin Gledian Llatja nga Partia Socialiste dhe Luçiano Boçi nga koalicioni Bashkë Fitojmë. Edhe në Kamëz, kjo shifër është e konsiderueshme, pasi “Askushi” është votuar nga 1146 persona, ndërsa më e ulët është në bashkinë e Vorës, me 356 vota.