Një hetues në Shtetet e Bashkuara pretendon se FBI-ja ka identifikuar njeriun që dyshohet se ishte “vrasësi famëkeq i Zodiakut” dhe beson se autoritetet nuk bënë sa duhet për arrestimin e tij kur ai ishte gjallë.

Gazetari Thomas Colbert thotë se një burim brenda FBI-së i konfirmoi se veterani i Forcave Ajrore Gary Francis Poste është i dyshuari kryesor për këto vrasje që lanë amerikanët me gjak të ngrirë për vite me radhë.

Ai pretendon se laboratorët e FBI -së kanë një mostër të pjesshme të ADN-së në Poste që e lidh atë me vrasjet, teksa tashmë është shumë vonë për publikimin e këtyre të dhënave të reja pasi i dyshuari ka vdekur në vitin 2018. 

“I dyshuari ishte në listën e FBI si vrasësi Zodiac që prej vitit 2016”, shkruhet në deklaratën e organizatës së Colbert, “Case Breakers”.

Ndërkohë që FBI-ja e mohon se çështja është zgjidhur, teksa konfirmon se ajo është rihapur së fundmi në tetor të vitit 2021.

“Case Breakers” një muaj më parë e lidhi Gary Francis Poste me 5 vrasje që kishin ndodhur në Bay Area në vitet 1968 dhe 1969. Gjithashtu, organizata akuzoi autoritetet e asaj kohe se kishin injoruar provat dhe ligjet e shtetit për zbardhjen e këtyre vrasjeve.

Në një deklaratë, Zyra e FBI-së në San Francisko tha për mediat se rasti mbeti i hapur dhe i pazgjidhur teksa kërkoi respekt për viktimat dhe familjet e tyre.

Pesë persona u goditën me thikë ose u qëlluan për vdekje në Kaliforninë Veriore në vitet 1968 dhe 1969, dhe vrasësi i tyre dërgonte letra tallëse dhe kriptograme në polici.

Vrasësi u quajt “Zodiak” sepse disa nga kriptogramet e tij përfshinin simbole dhe referenca astrologjike.