Igli Tare i thotë lamtumirë Lazio-s. Ish-kapiteni i Kombëtares largohet nga klubi i Serie A, pas 18 vjetësh kur u transferua si lojtar, por më tepër spikati në postin e drejtorit sportiv. Konfirmimi u dha nga vetë Tare.

“Eksperienca ime shumë e bukur si drejtor sportiv te Lazio përfundoi. Është një vendim që e kam marrë prej kohësh, por prita që ekipi të zyrtarizonte pjesëmarrjen në Champions. Jam i vetëdijshëm se ndërtova një skuadër të fort me lojtarë të jashtëzakonshëm. Shpresoj ta mbroni këtë realitet të bukur”, tha ndër të tjera 49-vjeçari.

Pas tre sezoneve si lojtar, në 2008-ën Igli Tare u emërua në postin e drejtorit sportiv, duke ndërtuar një skuadër që në 15 vitet e fundit ka fituar tre Kupa të Italisë dhe tre Superkupa.