Pas shpërthimit të 3 korrikut, aktiviteti në vullkanin Stromboli është rikthyer sërish, ditën e sotme, për të trembur banorët e ishullit pranë Sicilisë. Mbrojtja Civile ka urdhëruar kalimin e alarmit për vullkanin nga niveli portokalli në atë të kuq.

Rrjedha e lavës e prodhuar nga gryka e vullkanit, në një lartësi prej 700 metrash mbi nivelin e detit, u përhap përgjatë Sciara del Fuoco dhe arriti në vijën bregdetare, duke u derdhur më pas në det. U vu re gjithashtu një rritje e papritur dhe e dukshme e aktivitetit sizmik.

Kryetari i Bashkisë së Lipari-t, i cili mori pjesë në një takim me Qendrat e Kompetencës dhe Departamentin e Mbrojtjes Civile të Rajonit të Sicilisë, ka vendosur tashmë masat paraprake fillestare që synojnë mbrojtjen e njerëzve të pranishëm në ishull. “Popullata në ishull është e ftuar të jetë e informuar dhe të ndjekë me përpikëri udhëzimet e dhëna nga autoritetet lokale të mbrojtjes civile”, nënvizoi ai.

Shpërthime gjithashtu ka pasur edhe në malin Etna, duke rritur nivelin e alarmit në ishullin mesdhetar të Sicilisë dhe duke detyruar një mbyllje të përkohshme të aeroportit të Catania-s. Etna, një nga vullkanet më aktive në botë, ka pasur një aktivitet intensiv ditët e fundit, duke ndriçuar qiellin pranë qytetit të Catania-s.