Plani i dhëndrit të ish-Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner për të investuar në vila luksoze në ishullin e Sazanit ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Mes kritikave, kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Financial Times” thotë se Shqipëria ka nevojë për një super luks.

“Ne kemi nevojë për super luks, siç ka nevojë për ujë një shkretëtirë”, thotë Rama.

Megjithatë, ai ka sqaruar se në ndryshim nga Serbia, në Shqipëri nuk ka pasur nevojë për një ndërmjetës, por negociatat janë bërë nga vetë Jared Kushner.

“Në Serbi sigurisht që Grenell ishte prezantuesi, por këtu jo”, thotë Rama.

Kushner dhe Ivanka Trump e kanë vizituar dy herë vendin tonë që kur Trump u largua nga pushteti. Në të dy rastet ata janë shoqëruar nga Grenell dhe madje janë takuar edhe me kryeministrin Edi Rama. Një prej bizneseve flitet se është zhvillimi i ishullit të Sazanit në vendin tonë, për ta shndërruar në një destinacion turistik. Ndërsa në Beograd është planifikuar të ndërtohet një hotel luksoz me 1500 njësi dhe një muze, pikërisht në vendin ku ndodhej shtabi qendror i ushtrisë jugosllave i shkatërruar nga NATO në vitin 1999.

Në të dy rastet, toka mbi të cilën do të zhvillohen projektet është shtetërore.