Qeveria shqiptare duket se ka tejkaluar gjykatën ose më së paku e ka orientuar atë duke e konsideruar ekzekutimin policor të Klodian Rashës si një vrasje aksidentale, shkruar kjo në një vendim të saj.

Noa.al gjeti vendimin në Qendrën e Botimeve Zyrtare dhe e shikoni më poshtë.

Vendimi nr 1007 datë 11 dhjetor 2020 thotë se “…Klodian Rasha, më 8 dhjetor 2020 humbi jetën aksidentalisht si pasojë e veprimeve policore”, në kuadrin e akordimit të një pensioni social për familjen e të ndjerit.

Sipas kësaj VKM-je, me propozim të Edi Ramës, qeveria vendosi të japë pensioni social mujor tetë herë më të lartë për familjen Rasha, me efekt nga 1 dhjetori 2020 e në vazhdim.

Kjo pagesë mujore do të tërhiqet nga babai i të ndjerit, Qazim Rasha. Pensioni social është i barabartë me pensionin që mund të merrte një qytetar me pagë minimale dhe, me të paktën, 15 vite punë të siguruar. Aktualisht pensioni social është rreth 7.300 lekë të rinj në muaj.

Mënyra se si qeveria e trajton vrasjen policore të Rashës në VKM-në e saj, hedh pikëpyetje serioze për mënyrën si është etiketuar krimi.

Ndërsa publikisht policia dhe ministria e Brendshme pranuan se ishte vrasje në shkelje të ligjit, në VKM, qeveria e cilëson si vdekje aksidentale.

Disa thonë se ky është një orientim për drejtësinë në kualifikimin e veprës penale për vrasjen që policia i bëri të riut Klodian Rasha.