Ministria e Shëndetësisë ka publikuar dy urdhrat, përmes të cilëve kufizohet lëvizja gjatë orëve të natës në vend si edhe përcaktohet orari i mbylljes së aktivitetit të bareve dhe restoranteve.

Sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, duke filluar nga nesër, për një afat tre javor, pra deri më datë 02 dhjetor, kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit.

I njëjti rregull vlen edhe për baret, fast food-et dhe restorantet. Bizneset në fjalë do të mbyllen nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit përveç shërbimit të shpërndarjes që nuk ka kufizime.

Gjatë ditës së djeshme, Komiteti Teknik i Ekspertëve propozoi ndryshimet në fjalë duke i arsyetuar me rritjen e numrit të rasteve pozitive me koronavirus.

Shkollat dhe kopshtet nuk do të jenë të prekur nga karantina e pjesshme pasi ekspertët deklaruan se nuk është parë rritje e rasteve të infeksioneve me hapjen e tyre dhe shkollat nuk janë parë si vatra infeksioni.

“Neve na rezulton se që në shkolla të ketë shpërndarje te infeksionit më të madhe se më parë. Nuk i kemi shkollat në vatra infeksioni. Ne po monitorimjmë me shumë kujdes dhe masat merren në vazhdim të situatës epidemiologjike. Shohim fenomenin, zbulojmë faktorët dhe shohin çfarë mund të bëjmë për parandalimin. Sot për sot shkollat nuk kanë influencuar në një rëndim të madh të situatës”, tha Rakacolli dje.

Ndërkohë Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi edhe hyrjen në fuqi të testeve të shpejta që do të nxjerrin përgjigjen për 40 minuta për grupe të caktuara ndërkohë që do të hiqet ritestimi pasi sipas vlerësimit të tyre është vënë re se pas 14 ditësh një infektuar me Covid-19 nuk e përhap virusin edhe në rast se vazhdon të jetë pozitiv.