Talebanët kanë përcjellë në mënyrë simbolike për në “banesën e fundit” amerikanët, britanikët dhe francezët. Pamjet e publikuara në media tregojnë militantët duke mbajtur arkivolë boshë sipër të cilëve ishin vendosur flamurë të SHBA-ve dhe forcave aleate.

Me largimin e amerikanit të fundit, mijëra njerëz u panë në rrugët e qyteteve më të mëdha të vendit duke festuar fundin e luftës 20-vjeçare me Perëndimin.

Nga ana tjetër në Kandahar, bastion tradicional i talebanëve, mijëra njerëz valvitën flamuj të bardhë kurse zyrtarë të lartë talebanë po bënin fotografi para avionëve të forcave perëndimore që ishin kapur ditët e fundit.

Festa e talebanevë ka marrë edhe përmasa ekstreme pasi një video tronditëse ka qarkulluar në internet orët e fundit dhe tregon militantët duke fluturuar me një helikopter amerikan “Black Hawk”, në të cilin është varur një burrë.