Qeveria e Republikës së Kosovës, gjatë mbledhjes së ditës së sotme ka vendosur që të ndalojë funksionimin e shërbimeve të “TikTok-ut” në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës. Ky hap është ndërmarrë me qëllim eliminimin e rreziqeve të sigurisë kibernetike nga përdorimi i kësaj platforme. 

Me këtë vendim, detyrohen të gjitha institucionet publike, të cilat janë pronarë dhe administrojnë me rrjete shtetërore të komunikimit, të vendosin kufizime e nevojshme teknike për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të rrjetit social “TikTok” në ambientet zyrtare të punës. 

Po ashtu, detyrohen të gjithë zyrtarët publikë që kanë në shfrytëzim pajisje zyrtare që ta fshinë aplikacionin së bashkë me çdo dosje që shoqërohet me instalimin e tij. 

Ndërkohë, Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas miratimit të këtij vendimi.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Çitaku i ka bërë thirrje Qeverisë që krahas këtij
vendimi, t’i ndalojë edhe kontratat njëburimore, shkeljet serike të Kushtetutës e subvencionet për familjarë.

“Ndalohet TikTok-u në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Lajm i mirë ky. Me këtë harxh, ndaloni edhe kontratat njëburimore, shkeljet serike të Kushtetutës, subvencionet për familjarë, etj etj”, shkroi ajo.