Xixa, shkëlqim, “glamour” e yje të veshura si perëndesha, mes kanaleve të Venecias, në një shfaqje “One Night Only”, në nder të edicionit të 80-të të Festivalit të Filmit në Venecia.

Veç yjeve në pasarelë, stilisti 89-vjeçar Giorgio Armani ishte kujdesur edhe për yjet e kinemasë, personazhe të famshëm e frymëzuar nga kinemaja botërore, prezantoi një koleksion të jashtëzakonshëm, ndriçues, siç Armani sjell prej dekadash për besnikët e tij. 

Koleksioni më i ri i “Armani Prive” ishte ndërtuar mbi një stil unik, barok, i brishtë e elegant, shoqëruar me varëse elegantë apo shaje të holla rreth qafës. 

Fustane, këmisha, pantallona dhe kapelet shkëlqenin nga teminat e gurët e rëndë. Mes të zezës, spikaste spërkatja e blusë së ndezur, jeshiles apo rozës, në silueta të ngushta, puthitur me lëkurën, apo veshjet e gjata të derdhura. 

Edhe pse një pjesë e ajkës së VIP-ave botërorë e aktorëve më të paguar të Hollivudit, munguan në Festivalin e Venecias për shkak të grevës së aktorëve, Armani duket se nuk e pati problem të mbushë qytetin e vjetër me një shkëlqim të ri dhe kjo falë miqësisë që vetë ai ka me personalitetet e famshme të showbiz-it. 

Aktoret Jessica Chastain, Sophia Loren, Sydney Sweeney dhe Rege-Jean Page apo edhe regjisore të famshme si Ang Lee dhe Ava DuVernay ishin mes të ftuarve që morën pjesë. 

“One Night Only”, shfaqja e ideuar e realizuar nga Armani, pritet të zhvendoset nga Venecia edhe në qytetet e tjera të mëdha si Tokio, Nju Jork, Londër e Dubai.