Rikthehet edhe këtë verë në Korçë Mik Festival, një manifestim i muzikës klasike e tradicionale që bën bashkë artistë nga disa vende të botës. Drejtuesja artistike njëkohësisht edhe themeluese e Mik Festival Inva Mula, ka ndarë detajet e këtij edicioni.

Edicioni i gjashtë i MIK Festival nis me një homazh për Jorgjie Trujën, një nga ikonat dhe muzat e muzikës lirike në Shqipëri.

Vajza nga Korça bën bashkë këtë herë artistë ndërkombëtarë që për tre ditë do të performojnë muzikë italiane, greke, rumune e shqiptare.

“Në mbrëmjen e parë, ora 21:00, “Te Pazari i Vjetër” në skenën e madhe do të ketë interpretim: “Koncerti Aroma Greke”, kushtuar krijimtarisë së Mikis Theodorakis. Në këtë ngjarje të ftuar do të jenë këngëtarja greke Kalliopi Vetta dhe kompozitori grek Janis Ioannou me orkestër nga Athina. Nata e dytë e festivalit, do të mbahet më 29 korrik në ora 19:00 në teatrin “Andon Zako Çajupi”, nën ritmet e hapave të flamengos, të ftuar janë grupi katalan “Alba Rumbetta band’”, tha Inva Mula.

Artistët italianë vijnë për herë të parë në Shqipëri, ndërsa zëri lirik nga Rumania ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë dhe serenatat korçare.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri, por jo hera e parë që bashkëpunoj me Inva Mulën. E prita me kënaqësi ftesën. Do të interpretoj natën e muzikës italiane dhe të bukurat klasike të muzikës së vendit tim”, shprehen artistët e huaj.

“Unë nuk vij për herë të parë në Shqipëri, kjo është shtëpia ime e dytë. Jam martuar me një korçar, Gjergji Mani. Kemi studiuar bashkë në Rumani për muzikë klasike. Kemi regjistruar aty dy albume, njërin me muzikë shqiptare dhe një tjetër me muzikën nga të dyja vendet. Më pëlqen muzika shqiptare dhe në Mik Festival do të interpretoj Bareshën. Është sfidë e bukur për mua”, thotë këngëtarja Mani.

Artistja Ionela Mani dhe bashkëshorti i saj Gjergj Mani interpretojnë ditën e fundit më 30 korrik në Drenovë, pasi Mik Festival ka edhe një mision tjetër, të tregojë potencialin turistik të Korçës.