Në rajonin verilindor të Rusisë Yakutia, shkencëtarët vendas po kryejnë një autopsi mbi një ujk të ngrirë për rreth 44 000 vjet, një zbulim që ata thanë se ishte i pari i këtij lloji.

I gjetur rastësisht nga vendasit në rrethin Abyyskiy të Yakutia në vitin 2021, trupi i ujkut vetëm tani po ekzaminohet siç duhet nga shkencëtarët. “Ky është zbulimi i parë në botë i një grabitqari të Pleistocenit të vonë”, tha Albert Protopopov, kreu i departamentit në Akademinë e Shkencave të Yakutia. “Mosha e tij është rreth 44 000 vjet dhe nuk ka pasur kurrë më parë gjetje të tilla”, tha ai.

I vendosur midis Oqeanit Arktik dhe në lindjen e largët të Arktikut të Rusisë, Yakutia është një rajon i madh kënetash dhe pyjesh, rreth 95% e të cilit është e mbuluar me ngrica të përhershme.

Temperaturat e dimrit në rajon dihet se bien deri në minus 64 gradë celsius. “Zakonisht, janë kafshët barngrënëse që ngordhin, ngecin në këneta, ngrijnë dhe arrijnë tek ne si një e tërë. Kjo është hera e parë kur gjendet një mishngrënës i madh. Qëllimi kryesor është të kuptojmë se me çfarë ushqehej ky ujk dhe si lidhet me ata ujqër të lashtë që banonin në pjesën verilindore të Euroazisë”, thonë studiuesit.

Ndonëse nuk është e pazakontë të gjesh kufoma kafshësh mijëravjeçare të groposura thellë në permafrost, i cili po shkrihet ngadalë për shkak të ndryshimeve klimatike, ujku është rast i veçantë.