Vala rekord e të nxehtit, me temperatura mbi 40 gradë në disa qytete, paraqet rrezik për shëndetin e çdokujt, po sidomos tek të moshuarit, fëmijët dhe njerëzit që vuajnë nga patologji të ndryshme. Gjithsesi ka metoda për t’i “mbijetuar” temperaturave të nxehta, duke nisur nga të ushqyerit apo mënyra e të veshurit.

Temperaturat e larta mund të shkaktojnë çrregullime të lehta si ngërçe, por edhe probleme më serioze si dehidratimi, skuqja dhe tharja e lëkurës, të vjella, përgjumje e deri në humbje të vetëdijes. Në këto raste është më mirë të kërkoni ndihmë urgjente.

Nxehtësi rekord, çfarë të hani?

Të ushqyerit mund të na ndihmojë të përballemi me nxehtësinë. Në tryezë, përparësi duhet t’u jepet perimeve. Kungujt, kastravecët, karotat, selinoja janë të pasura me ujë dhe na ndihmojnë në hidratim. Frutat e stinës janë gjithashtu të shkëlqyera, mundësisht ato të pasura me ujë dhe jo shumë të ëmbla, të tilla si shalqiri, pjepri dhe pjeshkat. Ushqimet e pasura me kripë duhet të shmangen. Pra, jo shumë mish, djathëra, brumëra, pica apo ushqime me sheqerna të shtuara. Mbi të gjitha, alkooli duhet shmangur, pasi përmban etanol, i cili shndërrohet në sheqer dhe njësoj si kripa, shkakton dehidratim. Por mbi të gjitha, konsumoni sa më shumë ujë.

Si të vishemi?

Rrobat që veshni mund të bëjnë diferencën. Është më mirë të zgjidhni veshje pambuku me ngjyra të lehta. Shmangni këmishat apo fustanet e ngushta. Sa i përket këpucëve, është më mirë të zgjidhni sandale apo këpucë të rehatshme që e mbajnë këmbën të lirë, sepse në vapë, venat dhe kapilarët zgjerohen dhe këmbët mund të fryhen.

Nxehtësi edhe gjatë natës, këshilla për t’i rezistuar

Është më mirë të shmangni pizhamet që nuk janë pambuk apo që janë shumë të ngushta pas trupit. Në vend të kësaj, zgjidhni një bluzë të thjeshtë pambuku. Për të qëndruar më të freskët, zgjidhni mbulesat e dyshekëve, çarçafët dhe këllëfët e jastëkëve prej pambuku dhe shmangni mëndafshin, satenin apo materialet sintetike. Një dush para gjumit mund të ndihmojë në uljen e temperaturës së trupit tuaj.

Në përgjithësi, e rëndësishme është të mësoni të kuptoni sinjalet që ju jep trupi juaj. Nëse keni dhimbje koke, kjo mund t’ju vijë edhe nga dehidratimi, ndaj konsumoni sa më shumë lëngje. Po ashtu, shmangni daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës. Kur dilni, mbroni lëkurën tuaj me krem ​​kundër diellit, vendosni një kapelë dhe mos  harroni syzet e diellit.