Finlanda planifikon të ofrojë vaksinimin ​​kundër gripit të shpendëve, javën e ardhshme, për disa punëtorë që janë më të ekspozuar ndaj shpendëve, duke e bërë atë vendin e parë në botë që e bën këtë.

Vendi nordik ka blerë vaksina për 10 000 njerëz, secila e përbërë nga dy doza. Kompania prodhuese australiane në një deklaratë tha se Finlanda do të jetë vendi i parë që do të testojë vaksinën.

“Vaksina do t’u ofrohet atyre të moshës 18 vjeç e lart që janë në rrezik të shtuar të prekjes nga gripi i shpendëve për shkak të punës së tyre ose rrethanave të tjera”, tha në një deklaratë Instituti Finlandez për Shëndetin dhe Mirëqenien.

Lloji H5N1 i gripit të shpendëve ka shkaktuar asgjësimin e qindra miliona shpendëve në mbarë botën gjatë viteve të fundit dhe është përhapur gjithnjë e më shumë te gjitarët, duke përfshirë lopët dhe në disa raste edhe te njerëzit.

Vaksinimet ka të ngjarë të fillojnë në të paktën disa pjesë të Finlandës te njerëzit që mendohet se janë në rrezik, si punëtorët në ferma, teknikët e laboratorit që merren me mostrat e gripit të shpendëve dhe veterinerët.