Shqipërinë e vizituan këtë vit turistë si kurrë më parë, por vendi importoi më pak cigare nga jashtë.

Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë nga mbi 2 mijë tonë në janar-gusht 2022, importi i cigareve këtë vit përllogaritet në rreth 1 mijë e 900 tonë duke shënuar kështu një rënie me 6 për qind.  

“Kjo është absurde. Një pjesë e mirë e turistëve të huaj, jo vetëm që konsumojnë cigare këtu, por marrin edhe ndonjë koli me vete pasi çmimet këtu janë më të lira se në vendet e tyre të origjinës,” shprehet Roland Shuperka, ekspert i kontrollit të duhanit.

Mospërputhja e shifrave, tregues i pranisë ende të kontrabandës në import, konfirmohet edhe nëse asnjë prej gati 8 milionë turistëve të ardhur nuk do të ishte duhanpirës.

Duke zhveshur tërësisht efektin e turistëve, sërish vendi rezulton të ketë importuar më pak cigare në një kohë që raportohet për zgjerim të duhanpirjes edhe te të miturit.

“Vetë qeveria pranon se 30 për qind e importit të duhanit kryhet në rrugë informale, pra kontrabandë. Nga analizat që ne kemi kryer del se niveli është mbi 40 për qind.”

Rrjedhimisht kjo do të thotë më pak para për arkën e shtetit.

 “Janë rreth 100 milionë euro çdo vit vetëm si pasojë e importeve kontrabandë.”

Në një kohë që importet e cigareve u ulën me 6 për qind, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve janar-gusht numri i turistëve u rrit me gati 27 për qind.