Rodolfo Corazzo, një argjendar italian, i cili njihet për procesin e gjatë gjyqësor nga i cili doli i pafajshëm, pasi kishte vrarë grabitësin shqiptar Valentin Frrokaj, tashmë është shpallur kryebashkiak i qytezës së Rodanos.

68-vjeçari doli fitues pas procesit zgjedhor të 8 dhe 9 qershorit. Ai ishte kandidat në krye të një liste qytetare të quajtur “Rodano per te” të mbështetur nga e gjithë qendra e djathtë.

Duke risjellë në kujtesë grabitjen e përgjakshme të bandës shqiptare, në një intervistë për Il Giorno, Corazzo thotë se ai do të vendosë sigurinë si prioritet gjatë drejtimit të bashkisë.

Që nga e hëna kam nderin dhe përgjegjësinë të drejtoj komunitetin. Ajo që më ka ndodhur, më kanë rrëmbyer bashkë me gruan dhe vajzën time, atëherë 11 vjeçe, në shtëpi, e kërcënuar me armë, nuk do të ndodhë më në Rodano. Ishte një rast i shkëputur nga realiteti ynë, i cili nuk do të përsëritet. Ne duam t’u shpallim luftë vjedhjeve, për fat nuk kanë lidhje me atë që na ndodhi, por ajo që ndjen kur dikush të prek gjërat, të cenon privatësinë, është e tmerrshme për qytetarët”, shprehet ai.

Sa i përket ngjarjes së cilës Corazzo i referohet, ajo ndodhi në fund të nëntorit 2015, kur Valentin Frokaj, i arratisur dy herë nga burgu, me një vrasje në skedë, së bashku me dy shqiptarë të tjerë mësyn në vilën e argjendarit.

Por grabitja e bandës shqiptare, e kthyer në makth për rreth një orë e gjysmë për familjen e Corazzos, dështoi pasi ky i fundit iu përgjigj me zjarr të shtënave me armë. Corazzo ishte në shtëpi me gruan dhe vajzën, kur Frrokaj me shokë hynë dhe morën ar, bizhuteri, para dhe madje një armë nga kasaforta e familjes.

Ata u përpoqën të frikësonin edhe vajzën time 11 vjeçe, e morën lart dhe i thanë nëse babai yt nuk na thotë se ku janë paratë do të t’i presim gishtat”, rrëfeu Corazzo pas ngjarjes.

Kur Corazzo mendoi se kishte humbur gjithçka, grabitësit u mbyllën në një dhomë dhe në atë moment ai nxori armën duke qëlluar për t’i frikësuar ata, por Valentini ktheu zjarr ndaj argjendarit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes tyre grabitësi shqiptar mori dy plumba dhe gjatë arratisjes së grupit, Valentini bie në tokë për të mos u ngritur më përgjithmonë.

Pas ngjarjes Rodolfo Corazzo u hetua për vetëmbrojtje të tepruar, por pas dy vitesh teza e prokurorëve u rrëzua dhe çështja ndaj tij u pushua. Tani, gati 10 vjet pas asaj ngjarje tragjike, Corazzo është bërë kryetar i bashkisë së qytetit të tij.