Teatri i Korçës “Andon Zako Çajupi” ka nisur punën për shfaqjen më të re që do të vihet në skenë në fund të muajt gusht. Komedia “Vdis duke qeshur” vjen si premierë në festivalin “KokoFest” që mbahet çdo vit në Korçë.

Vepra e autorit Paul Elliott me regji nga Ilir Bokshi bën bashkë aktorë të njohur të teatrit të Korçës, por dhe artistë të tjerë si Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Silvio Goskova e Paola Kodra.

Institucioni teatror shprehet se “në një bashkëpunim për herë  të parë me teatrin është edhe aktorja e njohur Luiza Xhuvani. Kënaqësi që do të punojmë edhe njëherë me regjisorin Ilir Bokshi dhe aktoren Olta Daku”!

Skenografia e këtij projekti do të jetë e skenografit të mirënjohur Beqo Nanaj.

Regjisori Ilir Bokshi ka realizuar projekte të ndryshme të suksesshme në skenat shqiptare me vepra si “Togeri i Inishmorit”, “Menaxheria e qelqtë”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Edipi Mbret”, “Ferma e kafshëve”, etj.

Në këtë projekt do të jenë edhe dy aktorët  Silvio Goskova, i cili do të luajë një karakter shumë të bukur dhe të spikatur dhe Paola Kodra, një aktore e re por e suksesshme e teatrit “Andon Zako Çajupi” që do të interpretojë rolin e Rejçell, një vajzë plot ëndrra dhe pasione, por që ndesh pabesi e surpriza.

​Që të dy aktorët e rinj kanë spikatur dhe janë vlerësuar nga publiku dhe kritika në disa projekte të ndryshme të realizuara më herët.