Nga David McNair, European Council on Foreign Relations

Punimet e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së që po mbahen aktualisht në Nju Jork, janë një mundësi shumë e mirë për t’u gjetur konsensus mbi një plan që duhet t’i japë fund pandemisë së Covid-19 kudo që ajo ëshë shtrirë. Kërcënimi me të cilin përballemi sot është real dhe i pranishëm.

Javën e fundit, mbi 60.000 njerëz kanë vdekur nga Covid-19 në mbarë botën, një numër ky i njëjtë me kapacitetin e stadiumit “Emirates” në Londër, që i përket ekipit të Arsenalit. Tashmë po ndihen edhe pas-goditjet e pandemisë.

Në janarin e këtij viti, Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, parashikoi se pabarazitë në shpërndarjen e vaksinave, mund t’i kushtojnë ekonomisë globale 9.2 trilionë dollarë, kryesisht për shkak të ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit.

Sot ndërprerje të tilla po ndikojnë mbi gjithçka, nga atletet sportive, deri tek dekorimet për festën e Krishtlindjeve. Kostoja e transportit të një kontejneri nga Azia në Amerikën e Veriut është 5-fishuar gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa çmimet e ushqimeve janë në nivelin e tyre më të lartë që nga vitet 1970, mbi 33 për qind më shumë në krahasim me vitin e kaluar, duke rrezikuar shpërthimin e trazirave sociale në shumë vende.

Në korrik, unë parashtrova arsyet pse dështimi i multilateralizmit për të adresuar problemin e pabarazisë në shpërndarjen e vaksinave, vetëm sa do ta përkeqësonte koston dhe kompleksitetin e situatës, dhe se ai do të ketë efekte negative mbi aftësinë tonë për t’u marrë me çështjen po aq akute të ndryshimeve klimatike.

Tre muaj më vonë, situata nuk ka ndryshuar dhe aq shumë. Vetëm 3.8 për qind e popullsisë në Afrikë është vaksinuar plotësisht, krahasuar me 45 për qind në Amerikën e Veriut dhe 50 përqind në Evropë. Dëshmitë e reja nga Afrika e Jugut, përbëjnë një tjetër arsye për të vepruar sa më parë.

Popullatat që kanë një sistem imunitar shumë të dobët për shkak të rezistencës së tyre të kufizuar ndaj virusit, qëndrojnë të infektuar për një kohë më të gjatë, duke rritur gjasat e zhvillimit të varianteve të reja.

Dhe kombinimi i përqindjes së ulët të vaksinimit, dhe i prevalencës të lartë të të sëmurëve me HIV/AIDS në Afrikë, paraqet një rrezik të veçantë. Duke përfituar nga takimi i përvitshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së, presidenti amerikan Joe Biden mbajti të mërkurën një samit të fokusuar tek 3  qëllime kryesore:vaksinimin e popullsisë së botës ndaj Covid-19, shpëtimin tani të jetëve njerëzore (me fokus testimin, terapitë dhe furnizimet me oksigjen), dhe një rindërtim më të mirë në të ardhmen (me fokus gatishmërinë ndaj pandemive të ardhshme).

Biden u kërkoi udhëheqësve të vendeve të votës miratimin e një synimi të ri, në mënyrë që të paktën 70 për qind e popullsisë të jetë plotësisht e vaksinuar në të gjitha vendet deri në mbledhjen e Asamblesë së ardhshme të Përgjithshme të OKB-së në shtator 2022.

Por arritja e këtij qëllimi kërkon një ndryshim rrënjësor të mënyrës se si në veçanti vendet e G7-ës, e kanë menaxhuar deri më sot pandeminë. Hulumtimi i ri i publikuar së fundmi nga organizata ime “ONE Campaign”, tregon se 107 vende nuk do të arrijnë dot objektivin pa veprime urgjente, dhe kjo do të lërë mbi 1.2 miliardë njerëz pa vaksinim të plotë.

Me trajektoren aktuale të niveleve të vaksinimit, 97 për qind e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta, nuk do të vaksinohen plotësisht deri në shtatorin e vitit të ardhshëm. Ndërkohë, vendet e G7 mund të ndajnë një shtesë prej 600 milion dozash brenda këtij viti pa ndikuar aspak në fushatat e tyre kombëtare të vaksinimit. Dhe kjo është e mjaftueshme për t’i siguruar të paktën 1 dozë çdo të rrituri në Afrikën Sub-Sahariane.

Ndërsa vendet e pasura janë në rrugën e duhur për të arritur objektivin, ata po përballen me njerëzit që hezitojnë të vaksinohen, dhe vazhdojnë të kenë më shumë vaksina sesa mund të administrojnë. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, problemi është kryesisht ai i furnizimit.

Kjo do të kërkojë një zhvendosje të qëllimshme dhe strategjike, nga grumbullimi i dozave në vendet e pasura, drejt synimit të shtimit të vaksinimeve në vendet dhe rajonet me mbulim të ulët. Vendet e G7-ës duhet të ndërmarrin këto hapa për të pasur sukses.

Së pari ato duhet të ndajnë sa më shpejt dozat që kanë në dispozicion. Ne vlerësojmë se vendet e G7, do të kenë grumbulluar gati 600 milionë doza të papërdorura deri në fund të vitit 2021. Kjo është e mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht 50 për qind të popullsisë në vendet me të ardhura të ulëta.

Ndërkohë vendet e G7-ës, duhet të ndajnë menjëherë dozat që kanë aktualisht në dispozicion, për t’u dhënë mundësi vendeve me të ardhura të ulëta që të mbrojnë punonjësit në sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor dhe ata që janë më të brishtë në shoqëritë e tyre.

Këto vende duhet t’i japin fund monopolit në furnizimin me vaksina. Vendet e pasura dhe kompanitë e mëdha farmaceutike, duhet të ndalojnë kufizimin e qasjes në tregun e vaksinave. Kjo gjë do t’u japë mundësi vendeve dhe organeve ndërkombëtare, siç është Unioni Afrikan që të blejnë vaksinat e tyre.

Vendet e G7-ës, duhet t’i lejojnë prodhuesit e vaksinave që t’i japin përparësi dhe të përmbushin kontratat që kanë nënshkruar me nismën COVAX, dhe të ofrojnë parashikime të rregullta dhe të qarta mbi dozat që do të prodhojnë, në mënyrë që të gjitha shtetet të mund të planifikojnë më mirë reagimin ndaj pandemisë.

Kjo do të kërkojë që vendet e G7-ës, të kontraktojnë blerjen e vëllimeve të mëdha të vaksinave, dhe të ndryshojnë kalendarin e dorëzimit të tyre tek COVAX, në mënyrë që të shpëtojë sa më shumë jetë njerëzish. jë element i rëndësishëm është rritja e transparencës. Vendet e G7-ës duhet të heqin dorë nga klauzolat e konfidencialitetit në kontratat e tyre, për të rritur transparencën mbi atë që furnizohet. Kompanitë farmaceutike, duhet të japin të

dhëna në kohë reale mbi vëllimin e vaksinave që do të prodhojnë, ku po shpërndahen ato, kapacitetet e tyre prodhuese etj. Kjo gjë do t’i ndihmojë vendet që të krijojnë logjistikën e duhur për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit.

Ndërkohë këto vende duhet të financojnë plotësisht qasjen globale tek vaksinat, mjetet dhe trajtimet anti-Covid:Lehtësuesit të Qasjes në Mjetet kundër Covid-19 (ACT-A), i mungojnë 16.6 miliardë dollarë, në raport me synimet që i ka vënë vetes për këtë vit.

Vendet e G7-ës duhet që ta plotësojnë këtë boshllëk, në mënyrë që të gjitha vendet të forcojnë reagimin e tyre ndaj Covid-19. Ne të gjithë zotërojmë teknologjinë dhe burimet e duhura për t’i dhënë fund pandemisë aktuale.

Dhe tani kemi një proces politik për ta bërë këtë. Kostot ekonomike, humanitare dhe sociale për shkak të dështimit për të vepruar janë më se të qarta. Ne mezi po presim që udhëheqësit të bëjnë atë për të cilën janë zgjedhur:të udhëheqin.