Nga Janine di Giovanni, Foreign Policy

Luftërat nuk i përshtaten kurrë modeleve tipike. Por ne mund t’i ndajmë ato në kategori të caktuara:luftëra pushtuese, luftëra civile, luftërat rebele, luftërat e kryengritjes, dhe luftëra fetare. Historia e kohëve të fundit ka parë edhe luftërat përmes palëve të treta, luftëra parandaluese, luftëra të ndryshimit të regjimit, dhe pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001 luftëra globale kundër terrorizmit, e përqendruar në Afganistan dhe Irak.

Filozofi politik Michael Walzer shkoi një hap më tej, kur u përpoq që t’i përcaktonte argumentet morale pas luftës, duke i ndarë ato në luftëra “të drejta” dhe “të padrejta”-pra në luftëra që duhen zhvilluar për shkaqe humanitare dhe ato që nuk duhen kryer.

Por edhe më e rëndësishme është analiza se si përfundojnë këto luftëra. Ka shumë konflikte të cilave ne duam që t’i japim fund, por natyra e luftës ka ndryshuar, gjë që e ka bërë më të vështirë zgjidhjen e konflikteve dhe arritjen e paqes. Luftërat mund të përfundojnë me plagë të thella,të cilat do të sjellin akoma më shumë trazira në të ardhmen, siç është konflikti në Bosnje Hercegovinë.

Ose ato mund të mbarojnë në një mënyrë relativisht paqësore. Me një konflikt të zbehur në Siri dhe me një të ardhme të pasigurt për Afganistanin, por edhe me konfliktet e vazhdueshme në Jemen, Etiopi, Somali, Sahel, Libi, Venezuelë dhe gjetkë, ka kuptim që t’i hedhim një vështrim më të afërt çështjes se si mund të përfundojnë luftërat në një mënyrë efektive.

Një nga mënyrat, është kur ekziston një vullnet i fortë për t’i dhënë fund konflikteve. Një mënyrë tjetër është një zhvillim relativisht i ri në negociatat ndërkombëtare, një mekanizëm i njohur në diplomaci si “diplomacia dydrejtimëshe”.Një shembull shumë udhëzues i përdorimit të vullnetit për t’i dhënë fund një lufte është ai Sierra Leones.

Një ndërhyrje e suksesshme ushtarake britanike ndodhi në maj të vitit 2000 për t’i dhënë fund luftës civile brutale. Ajo luftë u karakterizua nga abuzime të tmerrshme me të drejtat e njeriut, përfshirë gjymtimin e civilëve, përdhunime të shumta, tortura, dhe djegie të shumë fshatrave.

Kur britanikët zbarkuan në ish-koloninë e tyre, ishin vrarë në shumë se 50.000 civilë. Kur gjenerali David Richards mbërriti në kryeqytet, Freetown ishte gati të binte në duart e Frontit të Bashkuar Revolucionar (RUF). Trupat e tij siguruan aeroportin dhe sprapsën RUF.

Ato krijuan zona të sigurta për civilët. Richards hyri në xhungël për t’u takuar me “lordët e luftës”, duke i bindur ata të bashkoheshin për të luftuar RUF.

Më pas ai arriti që t’i bindte të gjitha palët, përfshirë RUF, se rezultati më i mirë për të gjithë ishte dhënia fund e luftimeve. Kur lufta mbaroi, Richards dhe njerëzit e tij u ngarkuan me misionin e çarmatosjes së fraksioneve të ndryshme dhe stërvitjes së ushtrisë së re të Sierra Leones.

Misioni i suksesshëm i Richards, hyri në histori si Operacioni Palliser. Mbyllja e shpejtë e asaj lufte, ishte pothuajse e kundërta e asaj që ndodhi në Afganistan, ku më vonë Richards komandoi koalicionin e trupave ndërkombëtare. Një arsye e suksesit të ndërhyrjes së improvizuar të Richards në Sierra Leone ishte se ai e njihte mirë vendin.

Ai ishte takuar me shumicën e aktorëve të rëndësishëm që në vizitat e mëparshme. Ai e kuptonte hartën, terrenin, njerëzit, zakonet. Më e rëndësishmja, Richards synoi në radhë të parëtëmbronte civilët. Ky mund të ketë qenë një faktor vendimtar për suksesin e tij në arritjen e një paqeje të qëndrueshme në vend:ndërhyrja e tij u zhvillua mbi baza strikte etike dhe humanitare.

Përfundimi i luftës nuk u diktua nga arsye tregtare apo strategjike si Lufta e Irakut, nga zbutja e palëve të gabuara siç ndodhi me konfliktin në Bosnje, apo kryesisht për arsye të brendshme politike si lufta në Afganistan. Arsyeja pse vizioni i ndërhyrjeve rreptësisht humanitare nuk fitoi terren ishte se ai u shoqërua që në fillim nga debati.

Ndërhyrjet humanitare, nuk ishin gjithnjë në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Në fakt, sistemi i së drejtës ndërkombëtare me Kombet e Bashkuara në krye të tij,ka dështuar të mundësojë deri më sot një ndërhyrje humanitare. Vetëm Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka legjitimitetin të urdhërojë një ndërhyrje – dhe fuqitë me të drejtën e vetos zakonisht mbrojnë klientët e tyre që kryejnë gjenocide.

Kjo të sjell ndërmend situatën në Siri. Ky konflikt vrasës nuk mund të përfundojë së shpejti, por mënyra se si do të përfundojë është po aq e rëndësishme sa koha kur do të ndodhë kjo. A mund të binden të gjitha palët se paqja është në interesin e tyre? Me gjysmë milioni sirianë të vdekur dhe miliona refugjatë, a do të ketë ndonjë lloj drejtësie?

A do të hiqen sanksionet për të lehtësuar një popullsi të uritur, por edhe për të ndihmuar një vrasës masiv, presidentin sirian Bashar Al-Assad?Në kushtet kur lufta është në vazhdim dhe pa pasur në horizont ndonjë zgjidhje të negociuar, rruga drejt paqes së qëndrueshme mund të kërkojë shqyrtimin dhe rishikimin e procesit tradicional të negociatave për afrimin e palëve të konfliktit, dhe angazhimin e fuqive të jashtme përkatëse me shpresën e arritjes së një marrëveshje zyrtare.

Në Siri, negociatat kanë përfshirë përfaqësues nga disa palë në konfliktit, përveç ndërmjetësuesve të jashtëm – Kombet e Bashkuara dhe kohët e fundit, Rusinë. Por ky proces ka përjashtuar jo vetëm aktorët kryesorë sirianë, por edhe aktorët jo-shtetërorë që kanë një interes për rezultatin përfundimtar, dhe mund të ndihmojnë në zbatimin e paqes, si organizatat joqeveritare, udhëheqësit fetarë, grupet e shoqërisë civile dhe qytetarët.

E ardhmja e luftës ka të ngjarë të përfshijë më shumë grupe kryengritëse dhe aktorë të tjerë të dhunshëm jo-shtetërorë. Ndaj,ne duhet të jemi në gjendje të flasim ose të paktën t’i kuptojmë ata. Ky është momenti kur hyn në lojë“diplomacia dydrejtimëshe”, një term i shpikur nga diplomati amerikan Joseph Montville në vitin 1981.

Kjo lloj diplomacie, e zhvilluar në mënyrë joformale, krijon rrjetin më gjerë me palët që janë ulur në tryezë. Shpeshherë kjo ndodh në fshehtësi, në mënyrë që të transmetohen të gjitha shqetësimet. Jashtë vëmendjes së mediave dhe larg politikës publike, këto biseda joformale nuk thirren nga OKB apo fuqitë e mëdha si Rusia, por shpesh nga OJQ-të dhe institucionet e tjera neutrale, të cilat janë të specializuara në zgjidhjen e konflikteve.

Këtu përfshihen Fondacioni Berghof, Qendra për Dialog Humanitar në Gjenevë, dhe Instituti Evropian i Paqes në Bruksel. Një nga pyetjet që nuk mund të shmanget, është nëse duhet “të bisedojmë me terroristët”.

Jonathan Powell, ish-shefi i kabinetit të Tony Blair dhe negociatori kryesor në bisedimet e paqes të së Premtes së Mirë, që i dha fund konfliktit të gjatë në Irlandën e Veriut,pati sukses vetëm sepse ishte i gatshëm të fliste me grupet e përfshira, përfshirë përfaqësuesit e Ushtrisë Republikane Irlandeze, që ishin përgjegjës për sulmet terroriste në Britani.

Sikur këto negociata të mësoheshin nga media, do të kishte pasur një zemërim të madh publik, dhe kjo sipas të gjitha gjasave do të sillte prishjen e paqes. Por nëse “diplomacia dydrejtimëshe”premton rezultate reale, atëherë pse nuk përdoret më shumë?

Nga bisedat e mia me negociatorët që punojnë në bisedimet në prapaskenë në Jemen, Libi dhe Siri, një nga përgjigjet është se ajo kërkon kohë. Kërkon më shumë dialog dhe ndërmjetësim sesa procesi tradicional. Kërkon ekspertë që e njohin mirë vendin dhe që janë të përkushtuar për të krijuar një paqe të qëndrueshme, dhe jo burokratë që duan vetëm një marrëveshje të nënshkruar.

Kërkon besim dhe fshehtësi. Kjo lloj diplomacie merr parasysh abuzimet me të drejtat e njeriut dhe drejtësinë që duhet të vendoset. Luftërat nuk përfundojnë gjithnjë me fitore. Sigurisht që ato përfundojnë me vende të shkatërruara dhe popullsi të traumatizuar.

Vendosja e një paqeje të qëndrueshme kërkon që të mbijetuarit e një tmerri të tillë të njihen si të tillë, qoftë përmes drejtësisë rikuperuese apo tranzicionale. Dëmi i shkaktuar nga krimet e luftës duhet të kompensohet njëherë e mirë. Përndryshe, rrënjët e atyre luftërave do të kthehen në mënyrë të pashmangshme dhe në një mënyrë të tmerrshme.