Pavarësisht se gjatë paradites nuk u gjet dakordësia për objektin e komisioneve hetimore, bisedimet kanë vijuar gjatë gjithë ditës së sotme.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi së bashku me disa deputetë vijojnë të qëndrojnë në Kryesinë e Kuvendit.

Ishte parashikuar se nëse palët do të binin dakord, mund të kishte një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve në orët e vona të mbrëmjes, por Gazment Bardhi dhe Jorida Tabakun, pas disa orësh bisedime e konsultime dhe me juristë, janë larguar vetëm pak minuta më parë në këmbë nga Kryesia.

“Tymi i bardhë” për vulën e këtyre negociatave nuk do të dalë as ditën e sotme, pavarësisht këmbënguljes së socialistëve për të gjetur një zgjidhje, pasi ditën e nesërme do të jenë angazhuar në aktivitete që përkojnë me festën e Ditës së Verës, në Tiranë dhe në rrethe.

Një nga çështjet për të cilat palët nuk kanë gjetur dakordësinë është grupi i punës për nënkomisionin/strukturën, për të cilin ende po ashtu nuk e kanë qartësuar sesi do të quhet.

Bardhi ka kërkuar që në objektin e punës në këtë komisionit të posaçëm të shkruhet në objekt reforma zgjedhore, ndërsa socialistët duan që të jetë vetëm një nënkomision i reformave, që mund të përfshijë çdo nismë sa i përket ligjeve që kërkojnë shumicën e cilësuar prej 84 votash.

Sipas gazetares së A2CNN, Fjorela Beleshi, gjasat janë që negociatat mes Rithemelimit dhe mazhorancës të rinisin vetëm të premten.