Pas lajmit se mazhoranca dhe Partia Demorkatike, grupimi i Rithemelimit kanë arritur një dakordësi për rikthimin e normalitetit në Kuvend, nuk ka munguar reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Në një deklaratë të shkurtër në platformën “X”, SHBA thotë se është e inkurajuar nga ky lajm dhe iu bën thirrje deputetëve që të bëjnë detyrën e tyre brenda Parlamentit.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është inkurajuar nga njoftimi për rikthimin e rendit normal në Parlament. Institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme dhe anëtarët e zgjedhur duhet të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mirëbesim brenda Parlamentit”, thuhet në reagim.

Ky reagim erdhi pasi dy krerët e grupeve Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi deklaruan se ka një dakordësi për ngritjen e dy komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita dhe pikërisht atë që ka të bëjë me ndërhyrjen në sistemin TIMS, teksa tjetri me koncesionet në shëndetësi.

Kjo marrëveshje është kundërshtuar dhe brenda grupit të Rithemelimit, ku disa prej deputetëve shprehen se pas 5 muajsh opozita nuk ka fituar asgjë pavarësisht aksionit të saj në rrugë dhe parlament dhe rikthehet në një tryezë me Edi Ramën, i cili tashmë ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe ligjin për komisionet hetimore si dhe rregulloren e Kuvendit.