Pak orë para spektaklit të madh në Tiranë me rastin e Ditës së Pavarësisë, ylli i muzikës botërore, Dua Lipa, tha se ndihet shumë e lumtur që ndodhet në Shqipëri, për të mbyllur turin e saj, pas 94 spektakle në çdo cep të planetit.

Ajo tha se do të shfrytëzojë këtë mundësi, për t’i treguar botës se cilët janë shqiptarët e vërtetë. “Mendoj që kemi nevojë të luftojmë ksenofobinë kudo në botë, jo vetëm për ne, por për të gjithë nëpër botë. Është e vetmja gjë që mund të bëjmë, të ndryshojmë stigmën ndaj shqiptarëve. Mendoj që ka shumë njerëz që provojnë të na tregojnë që ne nuk jemi kush jemi dhe e kam një ndjesi që kisha nevojë të shpreh që ne kemi të drejtën të krenohemi”, tha Dua Lipa.

Këngëtarja tregoi me krenari pasaportën shqiptarë të marrë një ditë më parë nga Presidenti Begaj bashkë me nënshtetësinë. “Është shumë e rëndësishme për mua dhe nder që jam në gjendje  të përfaqësoj vendin tim, gjithashtu më vjen mirë që e përfaqësoj në një mënyrë të mirë, pasi duhet të luftojmë stigmat mbi atë që njerëzit mendojnë për shqiptarët. Por, ndihem shumë me fat që jam nga një vend si ky, ne jemi shumë krenarë për prejardhjen tonë”.