CIA kërkon spiunë rusë. Synimi është që të shtojë përpjekjet për të bindur qytetarët në Rusi të zbulojnë sekretet e vendit të tyre. Për këtë, Agjencia Qendrore e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës publikoi një video në telegram drejtuar të gjithë personave të zhgënjyer nga presidenti i tyre, Vladimir Putin.

Materiali më pas është shpërndarë edhe në platforma të tjera si YouTube, Twitter, Instagram dhe Facebook. Agjencia sugjeron që rusët mund të veprojnë për të përmirësuar gjërat, duke përcjellë informacione për CIA-n, por duke mbetur patriotë.

Në videon e publikuar jepen dhe udhëzimet për rusët që të përdorin programin e kërkimit në internet “Tor” për të hyrë në “dark web” dhe instrumente të tjetra të sigurta për të komunikuar.

“CIA kërkon të mësojë të vërtetën mbi Rusinë dhe po kërkojmë persona të besueshëm që mund të na e rrëfejnë këtë të vërtetë”, thotë narratori në gjuhën ruse gjatë materialit filmik.

Shpresa e agjencisë amerikane është që të vihet në kontakt me persona që punojnë në sektorët e inteligjencës, të diplomacisë, shkencës dhe teknologjisë, por pa përjashtuar edhe komunikimin me politikanë dhe qytetarë të tjerë që jetojnë dhe punojnë në Rusi.