Një lloj qelize imune që patrullon zorrët e njeriut si rojtari i një kështjelle, duket se ka një rol vendimtar dhe ende pak të njohur në luftën kundër kancerit të zorrës së trashë. Sipas një studimi të publikuar në “Science Immunology”, limfocitet T gama delta, janë lojtarët kryesorë në përgjigjen e sistemit imunitar ndaj këtij lloji të kancerit dhe një proteinë e shprehur në sipërfaqen e tyre duket se kontrollon aktivitetin e tyre.

Zbulimet mund të hapin perspektiva të reja në përdorimin e imunoterapive kundër kancerit të zorrës së trashë, i cili përfaqëson 10% të të gjithë kancereve të diagnostikuar në botë dhe që po rritet tek individët nën 50 vjeç.

ÇFARË JANË QELIZAT T?

Qelizat gama delta T janë një nëngrup limfocitesh të njohur si limfocitet intraepiteliale (IELs) të vendosura midis qelizave epiteliale të zorrëve, një shtresë qelizash që përbëjnë mukozën dhe që kanë për detyrë thithjen e lëndëve ushqyese. Këto limfocite kontrollojnë që të mos ketë shenja sëmundjeje në barrierën që rreshton traktin tonë tretës dhe eliminojnë çdo qelizë që mund të duket “e dyshimtë” sepse është e infektuar ose e mutuar, si në rastin e kancerit.

NDIKIMI NË TRAJTIME

Duke analizuar mostrat e tumoreve të zorrës së trasshë të hequr nga pacientët, shkencëtarët në Institutin e Kërkimeve të Kancerit Olivia Neëton-John në Australi zbuluan se ata që treguan një bollëk më të madh të qelizave gama delta T brenda tumoreve kishin gjithashtu rezultate më të mira nga terapitë e kryera, si dhe shanse më të mira të mbijetesës. Ekipi australian zbuloi gjithashtu se një proteinë e veçantë është në gjendje të ndikojë në aktivitetin e këtyre limfociteve kryesore.

TUMORET E ZORRËVE

“Ne zbuluam se bollëku dhe diversiteti i mikrobiomës në zorrën e trashë rezulton në përqendrime më të larta të një molekule të quajtur TCF-1 në qelizat gama delta T në krahasim me zonat e tjera të zorrëve. Kjo molekulë pengon limfocitet T gama delta, barriera jonë natyrore imune, në luftën e tyre kundër tumoreve të zorrëve”, shpjegon Marina Yakou, bashkëautore e studimit.

Kur shkencëtarët fshinë shprehjen e proteinës në qelizat gama delta T në studimet e kafshëve, ata vunë re se sjellja e këtyre qelizave imune ndryshoi dhe se tumoret e zorrëve u tkurrën ndjeshëm në madhësi.

PERSPEKTIVAT

Studimi mund të sugjerojë mënyra të reja për t’i bërë më efektive imunoterapitë e drejtuara kundër kancerit të zorrës së trashë. Për më tepër, zbulon detaje të reja në lidhje me ndërveprimin midis mikrobiomës së zorrëve, sistemit imunitar dhe sëmundjeve të zorrëve.