Mjeku Admir Sinamati ka reaguar në lidhje me vdekjen e futbollistit të Egnatias në fushën e lojës.

Sinamati ngre disa pyetje në lidhje me aktivizimin e lojtarit kur thuhet se ka patur probleme shëndetësore.

Sipas mjekut ligjor, vdekja në fushën e blertë e kapitenit të Egnatias futbollistit Rafael Dwamena, nuk duhet të trajtohet si aksident apo vdekje e papritur por si një vrasje.

‘Vdekja në fushën e blertë e kapitenit të ‘Egnatia’ futbollistit ganez Rafael Dwamena nuk duhet të trajtohet si aksident apo vdekje e papritur por si një vrasje.

Ai u diagnostikua me një sëmundje të zemrës në vitin 2017, ndaj në Janar të vitit 2020, ndërsa ishte i federuar në Levante UD, atij iu implantua një kardioverter-defibrilator i implantueshëm (ICD) përmes operacionit, i cili i mundëson të sëmurëve të tillë vazhdimin e jetës normale por duke shmangur mbingarkesën fizike dhe kontrollin e vazhdueshëm të funksionit të kësaj paisje mjekësore të implantuar.

Në tetor 2020, pas konsultës së mjekëve, ICD tregoi parametra kardiakë të cilat u konsideruan shumë të paqëndrueshme dhe si rezultat klubi i tij në atë kohë(Vejle Boldklub), e tërhoqi atë nga aktivitetet e ekipit.

Në tetor 2021, në ndeshjen e Kupës së Austrisë gjatë pjesës së parë të lojës së Blau-Ëeiss Linz kundër Hartberg, Dwamena u rrëzua në fushë dhe vetëm pas ndihmës së shpejtë dhe stabilizimit të aparatit ICD, ai vazhdoi jetën por jo lojën, pasi ekipi i tij nuk e aktivizoi kurrë më.

Lind pyetja: A ka klubi i ‘Egnatia’ një raport mjekësor në dosjen e Dwamena-s, dhe nëse po, kush është ekipi i mjekëve që i ka dhënë ‘OK’ skllavërisë së këtij fatkeqi?

Kush është ai mjek që ka firmosur për së gjalli skedë e vdekjes së kapitenit rrogozhinas nga Gana duke e bërë atë fizikisht të aftë për futboll?!

Përtej ngushëllimeve, keqardhjes, dhe solidaritetit me familjen e të ndjerit, kolegët apo tifozët e Rrogozhinës; Federata Shqiptare e Futbollit nëse nuk e ndjen veten fajtore duhet të gjejë përgjegjësit e kësaj vdekjeje të paralajmëruar në mes të fushës dhe përpara mijëra syve të sportdashësve.

Futbolli është dhe duhet të jetë sport e jo skllavëri!’, shkruan mjeku, Admir Sinamati.

Mjeku Admir Sinamati ka mbajtur postet si zv. Drejtor i Institutit te Mjekësise Ligjore të Shqipërisë pë disa vite, ndërsa nga në vitet 2013-2022 ka punuar si Ekspert Mjekoligjor Kërkimor Shkencor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë.

Aktualisht është pedagog i lëndës Mjekësi Ligjore dhe Bioetike Mjekësore pranë katedrës Anatomi Patologjike & Mjekësi Ligjore në Universitetin e Mjekësisë Tiranë.