Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka rrëzuar kërkesën e Blerand Kozicit. Ai kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” ose “Detyrim paraqitje”.

Blerand Kozici është arrestuar për transport të paligjshëm të emigrantëve dhe po ashtu ka tentuar të korruptonte gjyqtarët e Apelit të Korçës.

NJOFTIM PËR MEDIAT:

Kërkuesi Blerand Kozici më datën 13.05.2024, Nr. 280 Regj.Themeltar, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” në atë të “Arresti në shtëpi” apo “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 237 dhe 234 i K.Pr.Penale.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 280, datë 20.05.2024 u vendos:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit Blerand Kozici. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, afat i cili do të fillojë nga dita e njoftimit të vendimit.

Tiranë, me datë 20.05.2024.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar