Të paktën 17 persona raportohen të kenë humbur jetën si pasojë e shirave musonikë që përfshinë Sri Lankën, duke shkaktuar rrëshqitje dheu dhe përmbytje.

13 nga 25 rajonet e vendit ishull u goditën nga përmbytjet, ndërsa pesë u vendosën në alarm pasi niveli i ujit në një numër lumenjsh arriti kuotën maksimale, sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të Sri Lankës.

Gati 160,000 njerëz u evakuuan pasi reshjet e dendura shkulën pemët, rrëzuan linjat e energjisë dhe ndërprenë energjinë elektrike. Qeveria ka miratuar një propozim për rindërtimin e shtëpive që u shkatërruan plotësisht, njoftoi zyra e presidentit.