Diskutimet e tensionuara për autonominë e diferencuar kanë shërbyer për ta kthyer Parlamentin italian në një ring boksi këtë të mërkurë.

Gjatë diskutimeve në sallë shpërtheu një sherr ku u përfshinë dhjetëra deputetë. Përplasja fizike mes deputetëve nisi pasi ligjvënësi i “5 Yjeve” Leonardo Donno, tentoi t’i vendoste një flamur italian mbi supe ministrit për Çështjet Rajonale dhe Autonominë, Roberto Calderoli.

Pas kësaj tentative drejt tij u vërsulën një grup deputetësh dhe ai u godit derisa ra në tokë. Për të nxjerrë deputetin e “5 Yjeve” nga salla u desh një karrocë me rrota dhe ndërhyrja e ekipeve të emergjencës.

Sipas rrëfimeve të disa parlamentarëve për mediat italiane, Donno është goditur në kokë nga disa deputetë të partisë “Lega” që drejtohet nga Matteo Salvini. Gjatë përleshjeve është goditur edhe një asistent parlamentar që ka ndërhyrë për të qetësuar deputetët.

Debati shpërtheu pasi Donno kishte tentuar t’i sillte trengjyrëshin ministrit Calderoli, një akt i censuruar nga presidenti i dhomës Lorenzo Fontana me përjashtimin. Në atë moment disa deputetë të Lidhjes e rrethuan duke nisur një sherr dhe duke detyruar pezullimin e seancës.

Pas incidentit të rëndë, Lëvizja “5 Yjet” reagoi duke e cilësuar dhunën fizike ndaj Donno si sulm të turpshëm.

“Sulmi që ndodhi kundër Leonardo Donno është i rëndë dhe i turpshëm. Deputeti ynë ka dashur t’i dorëzojë vetëm një flamur italian ministrit Calderoli, kur është sulmuar fizikisht nga deputetë të mazhorancës, përfshirë edhe anëtarin e Ligës së Veriut, Iezzi, që e ka goditur me grusht. Kërkojmë masa serioze dhe të menjëhershme kundër këtij akti të kryer brenda institucioneve që njollos demokracinë tonë.”