NATO po furnizon Prishtinën me armë dhe po e ndihmon të krijojë “ushtrinë” e saj, në shkelje të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Janë fjalët e Maria Zakharovës, zëdhënëses se ministrisë së Jashtmë të Rusisë.

“Me pëlqimin e heshtur të Perëndimit, autoritetet e vetëshpallura të Kosovës po shkelin të drejtat e popullatës serbe në Kosovë dhe Metohi, duke ndjekur politikën e dëbimit të serbëve nga territoret që i përkasin Serbisë.”

Sipas saj, Rezoluta1244 vendosi bazat e kornizës juridike ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes Kosovës, qe sic thote, konsolidoi sovranitetin e Serbisë në raport me këtë rajon

“Megjithatë, vendet perëndimore kanë zgjedhur rrugën e sabotimit të dispozitave të vendimit të lartpërmendur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe po inkurajojnë në çdo mënyrë qëndrimin separatist të administratës shqiptare të Kosovës.”

Në kushte të tilla, vazhdoi Zakharova, prania e plotë e OKB-së në Kosovë nevojitet më shumë se kurrë, në radhë të parë për të garantuar sigurinë, stabilitetin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në rajon.

Duke ju referuar fushatës së bombardimeve kundër pozicioneve serbe 25 viteve më parë, Zakharova tha se aviacioni i NATO-s synonte kryesisht objekte civile dhe se metodat e përdorura atëherë nga perëndimi kundër serbëve po përdoren sot kundër rusëve ne Ukrainë.

 Ajo akuzoi perëndimin se po detyron serbët të heqin dorë nga Kosova duke inkurajuar autoritetet e Prishtinës për të spastruar popullatën ortodokse.