Me lot në sy dhe të pasigurta për të ardhmen e familjeve të tyre, tregtaret e tregut të rrobave të përdoruara që u përfshi nga flakët në Shkodër kanë kërkuar ndihmën e shtetit. Sipas tyre një ditë pa punë është një ditë pa bukë për familjet e tyre. Ndërkaq ende nuk ka asnjë version zyrtar mbi shkaqet e zjarrit masiv që përfshiu këtë treg.

Gjithçka e shkrumbuar dhe e kthyer në hi. Kjo është ajo çka ka mbetur pas zjarrit masiv që përfshiu pasditen e së premtes tregun e rrobave të përdorura në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodrës. Zjarrfikësit vijojnë ende të hedhin ujë për të mos lejuar riaktivizimin e vatrave, një fenomen ky i njohur në raste të zjarreve masive.

Por së bashku me efektivët zjarrfikëse në vendngjarje paraditen e së shtunës kanë mbërritur edhe tregtarwt që punojnw në këtë treg dhe që prej 15 apo 20 vitesh kanë lidhur fatin e familjeve të tyre me këtë punë.

Sot ato janë të shokuar me atë që shohin, ndërsa apelojnë shtetin t’i ndihmojë, pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të siguruar jetesën e familjeve të tyre.

Për shefin e zjarrfikëses së Shkodrës zjarri ishte i paprecedentë, ndërsa ende nuk ka ndonjë të dhënë mbi shkaqet e këtij zjarri.

I vetmi fakt ngushëllues i kësaj ngjarje, është që nuk pati humbje jete, ndërsa u asfiksuan pa rrezik për jetën një qytetare dhe dy punonjës të zjarrfikëses.