Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino  në një intervistë të dhënë për Radarin Informativ këtë të martë ka dhënë detaje në lidhje me dy vaksinat e fundit anti Covid me të cilat ka marrëveshje vendi jonë.

Bino në një bisedë me gazetaren Jonida Shehu është shprehur se është e rëndësishme që në këtë fazë të ketë sa më shumë vaksina dhe që kanë efekt në uljen e vdekshmërisë dhe të shtrimeve në spital.

Sipas saj vaksina kineze i ka dhënë provat në disa vende për efekshmërinë që ka në popullatë.

 “Kjo vaksinë i ka filluar provat e fazës së tretë që në korrik të 2020 në Kinë, ka filluar po ashtu në Brazil, Turqi, Kili të cilat kanë vlerësuar dhe efikasitetin ndaj sëmundjes me 50.6 % dhe shkonte 100 % te rastet më të rënda dhe 83% për rastet që kërkonin hospitalizim. Qëllimi i vaksinave është ulja e vdekshmërisë dhe i shtrimeve në spitale. Kjo nuk ka lidhje me efikasitetin por një gjë e tillë lidhet dhe me parandalimin e përhapjes.

Kjo është një vaksinë e përdorur nga Turqia, Tajlanda, Filipinet, Kili, Meksika, Kina Brazili, Azerbajxhani dhe vendet aziatike.

Për të qenë të sigurtë për përdorimin në popullatë ne kemi të dhëna nga Turqia dhe ajo që është e rëndësishme është s ene jemi në garë me kohën në lidhje me vaksinimin. Për këtë ne duhet të jemi të sigurtë për vaksinën, dhe duke kaluar fazën e parë dhe të dytë kjo është një vaksinë që ka të dhëna të mira për përdorim.

Gjithashtu ne duhet të jemi të përgatitur për çdo efekt anësor që mund të japë. E rëndësishme është që vaksinat të ndihmojnë në imunizimin e popullatës sonë. AstraZeneca është një vaksinë vektoriale, Sputnik Vqë dallon se ka dy lloj vaksinash dhe po marrim një vaksinë me virus të imunizuar”, ka thënë Bino.