Kryeministri Edi Rama ka falendruar përsëri sot “Patronazhistët”, sipas tij, për punën e palodhur dhe derë më derë për të kërkuar vota për Partinë Socialiste.

Përmes një video në Facebook, kreu i qeverisë paralajmëroi edhe takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Tiranë, sot në orën 18:00, tre ditë para zgjedhjeve duke kërkuar që pa asnjë frikë prej atyre që kanë kapur alltiet e marrëzisë që të ndalin të pandalshmen.

Rama pati një mesazh edhe për mbështetësit e PS-së, duke u shprehur se sot “jo shi, por edhe gurë po të bien”, do të tregojnë  forcën e karakterit dhe pasionit për vendin.

Kryetari Rama në facebook:

Faleminderit patronazhistëve tanë dhe forca, derë më derë, çdo trokitje e juaja për 12-ën e pavarësisë, 12-ën e lindjes së Partisë Socialiste, 12-ën e yjeve të flamurit të Europës, 12-ën e aritmetikës korrekte (4×3=12😂) është një trokitje në derën e të ardhmes😍

Asnjë frikë, asnjë ngurrim, asnjë luhatje prej atyre që kanë kapur alltiet e marrëzisë që të ndalin të pandalshmen, ngjitjen e Shqipërisë në majën ku Zoti i deshi shqiptarët kur e bekoi këtë vend të vogël me dy dete, plot lumenj e liqene, maja me dëborë e fusha me diell gjatë krejt vitit🙏

Përpara me të gjithë forcën e dashurisë për gjyshet e gjyshërit, prindërit e fëmijët dhe për këtë vend ku duhet të lemë gjurmën e krenarisë sonë për emrin shqiptar🇦🇱

Shihemi sonte, në orën 6, tek sheshi i Skënderbeut, këtu në Tiranë dhe jo shi, po gurë të bien nga qielli, t’i tregojmë mbarë Shqipërisë forcën e karakterit e të pasionit tonë për Shqipërinë.