Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i ka dalë në krah homologut të saj shqiptar Edi Rama, pas debatit të krijuar që nga publikimi i dokumentarit investigativ nga emisioni “Report” në televizionin Rai 3.

Pasi shpalli zyrtarisht kandidaturën e saj për zgjedhjet europiane, nga konventa e “Vëllezërve të Italisë” në Peskara, shefja e ekzekutivit italian kritikoi Rai 3 duke thënë se e sulmuan Edi Ramën me reportazhin e publikuar, vetëm se qeveria shqiptare ndihmoi Italinë.

Aq më tepër që e prezantuat si Telemeloni. Apo jo, Telemeloni? Ju e dini që Tele-Meloni krijoi një reportazh për Shqipërinë, në të cilin e portretizon atë si një narkoshtet. Më ndihmoni t’i dërgojmë solidaritetin tonë Edi Ramës, i cili u linçua vetëm se tentoi të ndihmonte kombin tonë”, tha ajo.

Meloni po ashtu tha se pas marrëveshjes së arritur mes Tiranës dhe Romës zyrtare për ngritjen e 2 kampeve në Shëngjin, për të pritur emigrantët që hyjnë në brigjet italiane, edhe e majta evropiane e linçoi publikisht shefin e qeverisë shqiptare.

“Kur bëmë një marrëveshje në qiell të hapur me Edi Ramën, e majta europiane propozoi ta përjashtonte nga socialistët europianë në vend që ta falënderonte që kishte vepruar në emër të solidaritetit europian, ata e linçuan.”