Vuajtjet nuk kanë të mbaruar për popullin palestinez në Rripin e Gazës. Izraeli ka urdhëruar rreth 100 mijë persona që të largohen nga pjesa lindore e Rafahut, qyteti i fundit në Rripin e Gazës, mes frikës për një ofensivë të ushtrisë izraelite, e cila do të sillte një masakër të re.

Ushtria izraelite urdhëroi civilët që të largoheshin nga qyteti dhe të zhvendoseshin në Muwasi, një zonë humanitare e deklaruar nga Izraeli.

Civilët, të cilët prej muajsh po mbijetojnë në kushte tejet të vështira, janë filmuar duke u larguar me furgona, madje edhe me karroca të tërhequra nga gomarët, drejt kampeve dhe tendave të ngritura nga ushtria izraelite.

Në anën tjetër, Izraeli nuk i ka kursyer sulmet. Të paktën 26 persona janë vrarë në sulmet në 11 ndërtesa në zonën e Rafah, 24 orët e fundit. Këtë e raporton “Haaretz”, duke cituar burime mjekësore në Gaza, sipas të cilave në mesin e viktimave kishte “11 fëmijë dhe 8 gra”.

Në Rafah bastisjet pasuan sulmin e Hamasit në vendkalimin Kerem Shalom, në të cilin 3 ushtarë izraelitë u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën.